Site icon Telegrafi

Aksident i rëndë komunikacioni në Pejë, një i vdekur

Një person ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në Pejë, në rrugën pranë Stacionit Hekurudhor.

Rastin e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë Rajonale të Pejës.

“Fatkeqësisht kemi një të vdekur nga aksidenti në fjalë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në momentin e përplasjes së dy veturave, njëra ‘Mercedes’ (e të dyshimtit, e cila ka qenë duke ardhur nga drejtimi i rrethit të market Delta) dhe tjetra ‘Opel Corsa’ (e viktimës), e cila ka qenë në lëvizje duke u kyçur në rrugë. Dy vetura tjera të parkuara janë dëmtuar”, ka deklaruar Elshani për “Radio 1”.

Sipas tij, hetuesit rajonal të trafikut kanë dalur në vendngjarje dhe kemi një të dyshimtë, ngasësin e ‘Mercedesit’ në arrest.

“Hetimet e para çojnë që shkaktari të jetë mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës. Është fazë fillestare e hetimeve dhe nuk mund të japim diçka më shumë tani për tani”, tha Elshani.

Elshani tutje ka shtuar se vdekja e viktimës është konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës. Ai ka bërë thirrje sërish që pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë dhe tju binden shenjave të trafikut.

 

Exit mobile version