Mbrëmjen e së hënës një aksident trafiku ka ndodhur në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për Telegrafin se në këtë aksident janë përfshirë dy vetura, derisa dy persona janë lënduar.
“Sot rreth orës 17:30, në afërsi të konvikteve në Prishtinë, ka ndodhur një aksident komunikacioni me lëndime trupore, ku janë përfshirë dy automjete. Bazuar në të dhënat nga vendi i ngjarjes, si pasojë e aksidentit, 2 personave u është ofruar ndihmë mjekësore. Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti.
Kujtojmë, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik pasi që qarkullimi nëpër rrugë është vështirësuar si pasojë e reshjeve të fundjavës.
Gjatë natës sidomos, për shkak të temperaturave të ulëta janë krijuar edhe shtresa akulli nëpër rrugë të ndryshme që po u shkaktojnë vështirësi në lëvizje drejtuesve të automjeteve./Telegrafi/