Telegrafi

Aksident mes tri automjeteve në Klinë, lëndohen gjashtë persona

Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Drenovc të Klinës.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi bëri të ditur se në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete dhe një kamionetë.

“Rreth orës 15:32, Policia është njoftuar për një aksident në fshatin Drenovc në Klinë ku tri automjete kanë qenë të përfshira në këtë aksident – dy automjete dhe një kamionetë. Si pasojë e këtij aksidenti të lënduar kanë mbetur gjashtë persona dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Pejës dhe janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Gashi.

Gashi mes tjerash bëri të ditur se njësiti i trafikut është ende në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e aksidentit. /Telegrafi/