Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku i cili ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë, afër Vragolisë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha, i cili tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00.
“Katër automjete janë të involvuara në aksident, përderisa sipas informatave fillestare, gjashtë persona kanë marrë lëndime të lehta trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Dyshohet se ndër shkaktarët e aksidentit ka qenë mos mbajtja e distancës ndërmjet veturave”, tha ai.
Hoxha tha për Telegrafin se Njësia për Menaxhim dhe Kontroll të Autostradës po merret me rastin dhe procedurat tjera, teksa shtoi se rruga tashmë është e lirë për qarkullim.
“Ne apelojmë tek drejtuesit që gjatë drejtimit të veturave të jenë më vigjilentë dhe t’u përshtaten kushteve në rrugë në mënyrë që të shmangen aksidente të tilla”, tha ai. /Telegrafi/