Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur të premten, më 07 shkurt 2025, rreth orës 11:28 në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës per Rajonin e Prizrenit Vesel Gashi ka deklaruar për Telegrafin se një ngasës 55-vjeçar që po lëvizte në shiritin e djathtë të rrugës nuk ka vërejtur një këmbësore 68-vjeçare, e cila po kalonte në vijat e bardha, dhe e ka goditur me automjetin e tij.
E lënduara u transportua me urgjencë në spitalin e Prizrenit, ku u konstatua se kishte lëndime të rënda dhe rrezik për jetën, duke u dërguar më pas në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Fatkeqësisht, rreth orës 17:15, Policia ka pranuar informatën se këmbësorja kishte ndërruar jetë.
“Më vonë rreth orës 17:15 nëpërmjet telefonit nga QKUK Prishtinë, policia ka pranuar informatën se këmbësorja e lënduar si pasojë e aksidentit kishte vdekur. Pasi është pranuar kjo informatë menjëherë është informuar Prokurori kujdestarë dhe me urdhër te tij trupi i pa jete dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi, ndërsa ngasësi i automjetit ndalohet për 48 orë në qendrën e ndaljes ne Polici”, ka deklaruar Gashi.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i saj është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa ngasësi i automjetit është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar./Telegrafi/