Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në Bogë të Pejës, ku një person që është goditur nga kamioni që po barte beton, nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve.
Policia e Kosovës sot në raportin 24 orësh bën të ditur se rasti ka ndodhur në orën 17:50.
“Është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet përderisa i dyshuari mashkull kosovar, ishte duke drejtuar kamionin me ç’rast viktima mashkull kosovar është goditur me pjesën e pasme të kamionit. Si pasojë viktima ka pësuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në raport.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/