Aleanca Kosova e Re dy ditë më parë e arriti marrëveshjen me koalicion PDK-AAK-NISMA (PAN), që të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme. Subjekti i AKR-së këtë marrëveshje po e cilëson “në interes të qytetarëve”, “duke tejkaluar kështu apetitet partiake”.
Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, deklaroi për Tribuna Channel se “efekti i qeverisjes së AKR-së do të vërehet në momentin që atyre do t’u besohen dikasteret ministrore për t’i udhëhequr”.
Ai megjithatë tha se ndërkohë do të vendosin për emra konkretë, të cilët do t’i delegojnë nëpër ministritë përkatëse.
Makolli shprehet po ashtu i bindur se marrëveshja mes AKR-së dhe PAN-it do të përmbushet në tërësi.
Në anën tjetër, Albert Krasniqi, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se AKR-ja e ka shfrytëzuar gjendjen e koalicionit PAN si shkak i pamundësisë së tyre për të siguruar një shumicë parlamentare. Por, Krasniqi e sheh të paefektshëm rolin e AKR-së brenda qeverisë, si shkak i përvojave qeverisëse nga e kaluara.
AKR në zgjedhjet e kaluara nacionale, nuk arriti ta kalonte pragun zgjedhor dhe për pasojë u privua të jetë pjesë ekzekutivit dhe legjislativit. /Tribuna Channel/