Telegrafi

AKP merr nën administrim ndërmarrjen “AgroKosova Holding”, përplasje mes punëtorëve dhe policisë

Agjencia Kosovare e Privatizimit nën asistimin e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, me ç’rast kanë marrë nën administrim këtë ndërmarrje.

Kjo është bërë e ditur nga AKP përmes një njoftimi për media.

“Më datën 31 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mori vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”). Agjencia Kosovare e Privatizimit, pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e tërheqjes së aksioneve sot ka ekzekutuar vendosjen e ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish NBI Suhareka), e cila tani e tutje do të jetë nën administrimin të drejtpërdrejt të AKP-së”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Momenti i arrestimit të kameramanit në zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”

Nga ndërmarrja “AgroKosova Holding” kanë kundërshtuar ta lirojnë objektin, dhe kanë pasur përplasje me fjalë mes tyre dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pavarësisht kësaj, Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes njoftimit për media u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve aktual, të të gjitha profileve, të cilët kanë marrëdhënie pune në ndërmarrjen e re “AgrokKosova Holding” të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga vendet e punës.

“Po ashtu, ftohen të gjithë bujqit të cilët kanë marrëdhënie kontraktuale me “AgroKosovën” të vazhdojnë punën. AKP zotohet se do të vazhdoj bashkëpunimin me qëllim të mbarëvajtjes së marrëdhënieve komerciale dhe zhvillimit ekonomik të komunës së Suharekës.

AKP zotohet se me përkushtimin më të madh do të bëjë përpjekje për të ofruar zgjidhjen më të mirë për ndërmarrjen e re “Agrokosova Holding” (ish NBI Suhareka). Në ndërkohë, AKP do të vazhdoj aktivitetin e ndërmarrjes me punëtorët aktual të cilët do të lidhin marrëdhënie pune me AKP-në”, thuhet në njoftim.

Ndryshe në media është raportuar se është arrestuar edhe një  kameraman i një agjencie të lajmeve. /Telegrafi/