Site icon Telegrafi

Kurti flet për takimin me Nenad Rashiq – nuk kemi diskutuar për koalicion

E plotësuar: Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mëngjesin e së dielës e ka ngrënë së bashku me përfaqësuesin e koalicionit serbë në Kosovë,”Sloboda”, Nenad Rashiq.

Pas takimi mbi një orësh, Kurti shprehu vullnetin që Rashiq të jetë pjesë e qeverisë së tij, por theksoi se kanë bashkëbiseduar më shumë për procesin zgjedhor, që sipas tij, ka shkuar me parregullsi dhe shkelje të shumta në vendbanimet me shumicë serbe.

Kurti para mediave theksoi, se takimet me LDK-në për harmonizim të programeve do të vazhdojnë javën e ardhshme.

“Zotëri Rashiq nuk e ka asnjë aferë, apo skandal të vetëm si ministër. Më duhet të them që njëri ndër ministrat më të mirë të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë është pikërisht Rashiq. Bisedova me të për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. Ky është shumë i zhgënjyer me parregullsitë dhe shkeljet e shumta. Edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar, edhe nga Rashiq çfarë kam dëgjuar mund të them që më shumë ka demokraci në Kinë se sa në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”, tha ai.

Lideri i Vetëvendosjes, u shpreh i hapur se pas përmbylljes së bisedimeve me LDK-në për koalicionin e ardhshëm, të ulet dhe diskutojë më konkretisht me Rashiqin për përfshirjen e tij në këtë koalicion.

Ndërkaq, nuk foli si cilat ministri do t’iu takojnë pakicave, teksa tha gjitha se parregullsitë që janë bërë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë si në zgjedhjet e 2017, ashtu dhe të këtij viti do t’i adresojnë si qeveri e ardhshme.

“Nuk ishte një takim për koalicionin e ardhshëm qeverisës, meqenëse aty ne duhet të merremi më shumë me bisedimet që i kemi me LDK-në…besoni ky është një hap i mëvonshëm, pasi që ne t’i përmbyllim bisedimet me LDK-në”, pohoi Kurti.

Për negociatat e grupeve punuese me LDK-në, i pari i VV-së, tha se do  të bëhet një takim javën e ardhshme.

“Besoj që është e duhur edhe do të bëhet një takim i radhës në javën që vjen dhe padyshim që do t’i informojmë për ditën e saktë”, tha Kurti.

Për dallim nga Kurti, Nenad Rashiq përkundër insistimit nuk ka dashur të deklarohet për media. Lideri i VV-së ka deklaruar shpesh se në qeverisjen e tij nuk do të ketë përfaqësues të Listës Serbe, por serbë të ndershëm që e respektojnë dhe njohin Republikën e Kosovës

Takohen Kurti – Rashiq

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti mëngjesin e së dielës e ka nisur në takim me përfaqësuesin e koalicionit “Sloboda”, Nenad Rashiq.

Kurti partia e të cilit ka dal fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas rezultatit preliminar të KQZ-së, tashmë ka filluar takimet për mundësitë e formimit të Qeverisë së ardhshme.

Kurti pritet t’i bëjë ofertë Rashiqit pasi në vazhdimësi ka theksuar nevojën që në përbërjen e Qeverisë së tij mos të ketë përfaqësues të Listës Serbe, por vetëm serbë që respektojnë dhe njohin institucionet e Kosovës, njofton Telegrafi.

Exit mobile version