Site icon Telegrafi

Ajri i ndotur vlerësohet të jetë i lartë në Kosovë, por cili është qëndrimi i Ministrit të Mjedisit? (Video)

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka theksuar se problemi me cilësinë e ajrit është i trashëguar tash e disa vite.

Ai në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se dy vitet e fundit kanë një reagim dhe vetëdijesim më të madh të qytetarëve karshi kësaj problematike.

“Ne si institucione nuk kemi dashur ta mbajmë të fshehur këtë problem, duke e bërë të ditur se problemi me cilësinë e ajrit gjatë dimrit është evident, duke e bërë njërën prej temave më të diskutueshme në vend”, ka shtuar Matoshi.

Sipas tij, janë marrë hapa konkret për ta parandaluar përdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse – si njëri prej ndotësve më të mëdhenj.

“Gjatë verës është ndaluar përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse nëpër shkolla. Në anën tjetër, me kërkesën e Task Forcës së ajrit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) e ka ndaluar dhënien e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut, kur e dimë se janë mbi 3 mijë punëtorë të kësaj kompanie që janë pajisur me thëngjill më herët, e në disa raste thëngjilli ka përfunduar edhe në treg, duke u shitur e stërshitur kjo lëndë”, ka shtuar Matoshi.

Foto: Fatmir Matoshi, ministri i Mjedisit, në një intervistë për Telegrafi

Ai ka thënë se para së gjithash duhet të shqetësohemi për problemin shëndetësor që e krijon dëmtimi i cilësisë së ajrit në mesin e qytetarëve.

Matoshi ka folur edhe për deklaratat e tij se peleti i importuar nga Serbia është i rrezikshëm, duke sqaruar se ai ka informata që peleti nga vendi fqinj përbëhet edhe nga materiale si goma, plastika, etj, e të cilat sipas tij, duhet të verifikohen përsëri.

“Thirrja jonë është që këto produkte të kontrollohen mirë. Ne nuk kemi ndonjë qëllim tjetër të parandalimit ose jot ë shitjes së këtij peleti në Kosovë, sepse edhe peleti nga Serbia është i taksuar sikurse produktet tjera nga ky shtet. /Telegrafi/

Exit mobile version