Site icon Telegrafi

Ajri i ndotur dhe mungesa e rrymës, sfidë për Maqedoninë e Veriut

Me fillimin e sezonit të dimrit dhe uljen e temperaturave në të gjithë vendin është vërejtur edhe ndotja e ajrit. Kjo ka ardhur edhe si pasoj e ngrohjes së qytetareve me dru dhe thëngjill. Shkupi sërish është ndër qytetet më të ndotura në botë, ndërsa nga komunat e Shkupit deri më tani më i ndotur ka qenë ajri në Karposh, Qendër dhe Lisiçë, por edhe në vendbanimet tjera. Aplikacionet për matjen e ndotjes së ajrit këto ditë tregojnë nivele rekord të substancave të dëmshme në ajër, duke paralajmëruar dhe rrezik për personat e sëmur dhe të ndjeshëm ndaj ajrit të ndotur. Qytetarët ankohen për erë të keqe dhe ndotje të madhe, derisa situata nuk është e mirë as në qytete tjera të vendit. Ata thonë se nuk mund të marrin frymë lirshëm dhe kanë vështirësi në frymëmarrje. Qytetet tjera ku ajri është i rrezikshëm për kategoritë e ndjeshme është në Tetovë, Veles, Kavadar dhe Koçan.

Pulmologët kanë paralajmëruar se ndotja e ajrit jo vetëm që përbën një rrezik të madh në vetvete, por edhe më tej lehtëson rrugën e viruseve drejt mushkërive, veçanërisht në një kohë kur jetojmë në kohën e pandemisë me virusin korona. Nga ana tjetër, eko-aktivistët dhe shoqëria civile me vite të tëra vazhdimisht ka alarmuar për gjendjen e krijuar me ndotjen e ajrit dhe situatën shqetësuese gjatë zezonës së vjeshtës dhe dimrit. Ministri i Mjedisit, Naser Nuredini, ka deklaruar se ndryshimet ligjore do të zvogëlojnë ndotjen e ajrit në vend. Ai gjithashtu paralajmëroi rritjen e gjobave për qytetarët dhe kushdo që ndotë ajrin. “Vetëqeverisja lokale dhe pushteti qendror duhet të kenë një plan menaxhimi ku në rast të tejkalimit të kufijve të ndotjes – do të detyrohen të marrin masa siç është ndryshimi i trafikut, orarin e punës, orarin e industrisë dhe mënyrën e ngrohjes”, u shpreh ai. Sipas tij, nëse pushteti lokal nuk i ndërmerr këto veprime, Qeveria do të ketë të drejtë të ndërhyjë dhe të propozojë tërheqjen e vendimeve.

Sipas paralajmërimeve, mijëra qytetarë në mbarë vendin këtë dimër mund të mos e përballojnë ngrohjen efikase dhe me kapacitet të plotë të shtëpive të tyre me energji elektrike, për shkak të paralajmërimeve për krizë globale me mungesën e energjisë elektrike. Në një gjendje të tillë është e pritshme që ngrohja e shtëpive të bëhet me dru e cila do të ndikoj jashtëzakonisht në ndotjen e ajrit.

Ministria e Mjedisit, thotë se angazhimet strategjike për të luftuar ndotjen e ajrit në vendin tonë janë në fuqi dhe po zbatohen në mënyrë aktive. Ata sqarojnë se burimet e ndotjes së ajrit në vend ndodhen në zonat urbane dhe industriale ku ka burime parësore, të emetuara drejtpërdrejt nga burimet e ndotjes, por edhe dytësore, të formuara nga ndërveprimi i dy ose më shumë ndotësve. “Institucionet në vend matin vazhdimisht nivelin e ndotjes së ajrit përmes stacioneve matëse, instrumentet e të cilëve monitorohen rregullisht, çdo 10-15 ditë dhe përditësohen të dhënat e marra prej tyre. Në periudhën e kaluar ka pasur një ulje të ndotjes së ajrit në vend gjatë gjithë vitit, ndonëse me fillimin e sezonit të ngrohjes pritet që niveli të rritet lehtësisht dhe e gjithë kjo është brenda kufijve normalë. Prandaj qasja operative ndaj kësaj çështjeje është gjithmonë prioritet dhe synimet tona për vitin 2021 tashmë janë përmbushur”, thonë nga atje.

Në anën tjetër, Dejan Popovski, i cili merret me eko-aktivizëm, konsideron se të gjitha qeveritë në vendin tonë deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për ndotjen e ajrit, veçanërisht në vjeshtë, kur fillon sezoni i ngrohjes, sepse atëherë kjo ngjarje më seriozisht. “Ndotja ndikon në shëndetin e të rriturve, por edhe të fëmijëve. Këtë vit do të përballemi me situata më të vështira, sepse masat themelore parandaluese që ka përdorur shteti deri më tani duke stimuluar energjinë elektrike si burim kryesor i ngrohjes do të jenë të vështira për t’u bërë për shkak të mungesës së energjisë elektrike nga kriza globale”, shprehet Popovski. Ai ka këshilluar që qytetarët të ndihmojnë në situatat kur shteti nuk vepron shumë për ta parandaluar këtë problem. “Rekomandoj që qytetarët t’i shmangen transportit me automjete private dhe të përdorin transportin publik më shumë”, thotë ai. (koha.mk)

Exit mobile version