Halil Ibrahim Gokpinarit iu deshën 20 minuta për të dalë nga rrënojat e shtëpisë së tij të shembur në Kahramanmaras, Turqi pas tërmetit që goditi më 6 shkurt.
“Ishte natë, por pashë një lloj drite dhe një hapësirë, u përpoqa të hapja vrimën dhe dola”, ka thënë ai për Euronews, përcjell Telegrafi.
Por sapo ai u lirua, u desh të tentonte me shpejtësi për të shpëtuar gruan e tij Cigdem dhe fëmijën që ishin ende nën rrënojat e asaj që dikur ishte shtëpia e tyre.
Ai duhej të përdorte duart e tij “të zhveshura” për të gërmuar nëpër rrënoja.
“Buzët e saj ishin të purpurta. Ishte e qartë se nuk kishte oksigjen. Ajo nuk po i përgjigjej zërit tim”, kujton ai me lot në sy.
“Më pas e çuam në spitalin tjetër të qytetit dhe kur arritëm atje – nuk mund ta përshkruaj tmerrin atje. E morën gruan time brenda. Harrojini shtretërit, karriget dhe barelat. Nuk kishte vend për ta vendosur për shkak të trupave të pajetë dhe pacientëve. Më duhej t’i shtyja njerëzit mënjanë dhe ta vendosja në tokë”, tregon ai.
Gruaja e Halilit iu nënshtrua operacionit të martën dhe është ende në Kujdes Intensiv.
Por shumë në këtë qytet nuk janë aq me fat.
Dhjetë ditë pas tërmetit në Siri dhe Turqi, shifrat janë tronditëse: më shumë se 40,000 të vdekur dhe qeveria turke vlerëson se 50,000 shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë.
Në Adana, shumica e spitaleve funksionojnë me kapacitet të kufizuar dhe disa anëtarë të familjes janë fjalë për fjalë ‘duke kampuar’ aty pranë, duke pritur që të dashurit e tyre të shërohen.
Ndërkohë qindra mijëra njerëz nuk kanë çati mbi kokë.
Të shpëtosh dikë sot duket pothuajse një mrekulli, megjithatë një 74-vjeçar u shpëtua pas 227 orësh nën rrënoja në Kahramanmaras të mërkurën.
Qeveria turke ka hedhur poshtë pretendimet se kishte probleme në koordinimin e operacioneve të shpëtimit – ose se ata madje i kanë ndalur përpjekjet – duke këmbëngulur se ka mbi 76 vende me ekipe ende në terren. /Telegrafi/