Site icon Telegrafi

“Ajeti do ta ndihmojë edhe më shumë Kombëtaren”

Futbollistë të Kombëtares dhe trajneri Gianni De Biasi kanë vlerësuar kalimin e Arlind Ajetit nga Frozinone te Torino.

Trajneri është kontaktuar nga “Panorama Sport” për një prononcim të shkurtër në lidhje me transferimin Ajetit te Torino, për faktin se sa do të përfitojë Kombëtarja.

“Ajeti ka një të ardhme të madhe përpara. Transferimi te Torino, pas një gjysmë sezoni të mirë me Frozinonen, do ta maturojë akoma edhe më shumë”.

“Kjo, për vetë faktin se Torino është një ekip që lufton gjithmonë në mesin e sipërm të tabelës dhe për Kombëtaren do të jetë një garanci më shumë në repartin e prapavijës”, deklaroi De Biasi.

Pak ditë më parë Ajeti firmosi një kontratë trevjeçare me Torinon, me të drejtën e zgjatjes edhe për dy vite të tjera.

Nga kjo kontratë, Ajeti thuhet se do të përfitojë rreth 500 mijë euro në sezon.

Kohët e fundit u përfol shumë rreth skuadrave që shfaqën interes ndaj tij. Këtë të shtunë ishte drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili tha se kishte diskutuar më parë për një kalim të tij te klubi kryeqytetas në Itali, por me sa duket prishja e marrëveshjes me trajnerin argjentinas, Bielsa, e largoi Ajetin drejt Torinos.

Exit mobile version