Telegrafi

“Ai është një tifoz besnik” – Babai i yllit të Liverpoolit, zbulon dëshirën e djalit të tij për të veshur fanellën blaugrana

Skandali i rrëmbimit të prindërve të Luís Díaz tronditi botën. Pas 12 ditësh izolim, autoritetet arritën që ta sjellin babanë e futbollistit të Liverpoolit dhe ditë më vonë ai ishte prezent në ndeshjen e ekipit të Kolumbisë ndaj Brazilit, ku e pa djalin e tij të shënojë dy herë.

Babai i Luis Diaz, dha një intervistë për Win Sports TV, ku deklaroi se ëndrra e djalit të tij është të luajë për Barcelonën.

“Deri më tani ai (Luis) nuk më ka thënë asgjë për Barcelonën, por është e vërtetë që Luis është një tifoz i Barcelonës dhe do të ishte ëndrra e tij për të luajtur atje”, ka deklaruar babai i yllit të Liverpoolit.

Kishte një mundësi reale që Luis Diaz të bëhej pjesë e Barcelonës në sezonin 2021/22 pasi katalanasit atë kohë ishin në kërkim të një sulmuesi dhe kolumbiani ishte njëri nga alternativat e tyre.

Sidoqoftë, Diaz përfundoi duke iu bashkuar Liverpoolit për 47 milionë euro në një transferim nga Porto, teksa Barcelona pikërisht në atë afat kalimtar kishte arritur të sigurojë shërbimet e Ferran Torres për 55 milionë euro.

Ende jemi në fazat e hershme të sezonit të ri andaj pritet më shumë nga Diaz i cili deri më tani ka shënuar vetëm tre gola në edicionin e ri të garave në Ligën Premier për Liverpoolin.

26-vjeçari ka një gol të shënuar edhe në Ligën e Evropës, teksa formë të mirë ka shfaqur edhe me kombëtaren e Kolumbisë, aty ku ishte protagonisti kryesor në fitoren me rezultat 2-1 ndaj Brazilit, me dy gola të shënuar./Telegrafi/