Pep Guardiola në konferencën për shtyp para ndeshjes me Liverpoolin nesër (e shtunë), mes të tjerash është ndalur për të folur për homologun e tij, Jurgen Klopp.
Të besuarit e Guardiolës janë lider të tabelës në elitën e futbollit anglez me 28 pikë të grumbulluara pas 12 ndeshjeve të zhvilluara, ndërkohë Liverpool me 27 pikë po i qëndrojnë si ‘hije’ në garën për titull të kampionit.
Guardiola dhe Klopp konsiderohen gjerësisht si dy nga trajnerët më të mirë në Ligën Premier për momentin. Spanjolli tha në konferencën për shtyp para ndeshjes se Klopp e ka ndihmuar atë të bëhet një trajner më i mirë, që prej ditëve të tyrë në Bundesliga.
“Ai më bëri mua më të mirë, kjo është diçka që ndodh kur je i përfshirë në këtë punë për shumë vite, unë dhe ekipet e tij, këtu edhe tek Dortmundi gjithmonë ka qenë një rival i madh, ka pasur ndeshje të mira për të dy ne, një çasje pozitive dhe gjithmonë tërheqëse”, ka thënë Guardiola.
“Ai më bëri mua një trajner më të mirë përmes skuadrave të tij dhe gjithashtu, mënyra se si luajmë është e mirë me tranzicionet, vrapimet, ata janë një skuadër fantastike e nivelit të lartë, padyshim”, shtoi ai.
“Qytetarët” kanë humbur dy ndeshje në ligë deri më tash këtë sezon ndërsa Liverpooli ka humbur vetëm një. Për të dyja palët ky takim do të jetë shumë i rëndësishëm, kryesisht për shkak të luftës së ‘ashpër’ që po zhvillohet për titull.
City po kërkon të shpallet kampion i Ligës Premier për të katërtën herë radhazi, ndërsa Liverpooli po synon të fitojë titullin e parë të ligës në katër vitet e fundit./Telegrafi/