Telegrafi

Ahmeti: Vjosa votoi kundër prishjes së koalicionit me LVV, sepse mendon se do të jetë i pashmangshëm koalicioni LDK-PDK

Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini, Arben Ahmeti ka thënë se Vjosa Osmani ka votuar kundër mocionit ndërsa Lumir Abdixhiku ka abstenuar.

Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin thotë se Vjosa aspak nuk është e kënaqur me sjelljen e Albin Kurtit ndaj partnerit të koalicionit, por sipas tij ajo ka një hall tjetër.

“Arsyeja pse Vjosa ka votuar kundër mocionit është për shkak se ajo mendon se prishja e koalicionit me Vetëvendosjen do të çonte pashmangshëm drejt koalicionit me PDK-në”, tha Ahmeti, përcjell Telegrafi.

Ndërsa analisti Vehbi Kajtazi ka thënë se deklarata e Agim Veliut ishte vetëm një pretekst për rënien e qeverisë.

Ai ka thënë se Qeverinë Kurti nuk e ka shkarkuar Agim Veliu apo LDK, por e ka shkarkuar ambasadori Grenell.

Kajtazi thotë se Albin Kurti e ka ditur se pas sanksioneve nga SHBA nuk mund të qeverisë më.

“Shkarkimi i Agim Veliut ishte shumë mirë i menduar nga Albin Kurti dhe kabineti i tij në mënyrë që të provokojë daljen e LDK-së nga qeveria”, tha më tej Kajtazi./Telegrafi/