Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini, Arben Ahmeti ka dhënë detaje që ai pretendon se i ka nga takimi i sotëm mes Kurtit dhe Mustafës.
Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se në bazë të burimeve brenda takimit njëri skenar ishte që qeveria të kishte një zëvendëskryeministër e që do t’i takonte LDK-së dhe që poashtu Ministria e Punëve të Jashtme do t’i kalonte LDK-së, përcjell Telegrafi.
“Në momentet kur është kërkuar një vendim final që ky ishte versioni përfundimtarë i koalicionit, Albin Kurti ka bërë disa pyetje shtesë ku është pamundësuar marrëveshje finale sot. Kurti ka pyetur se çfarë do të ndodh nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit siç ka kërkuar LDK-ja. Pra, Kurti e ka kthyer presidentin në tavolinë e që sipas informacioneve që kam brenda takimit, ky veprim nga Isa Mustafa është konsideruar si ofendim”.
Drejtori i Programacionit në RTV Dukagjini thotë se Kurti e ka një shqetësim që mos zgjedhja e presidentit pas një viti do të dërgonte vendin në zgjedhje.
“Qeverisja e re përballet me disa vendime të rëndësishme jopopullore në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen me Serbinë dhe Gjykatën Speciale dhe Kurti nuk dëshiron të lë hapësira që vendi të shkojë në zgjedhje pas një viti sepse nuk do ta kishte të njëjtin rezultat siç mund ta ketë tani në bazë të sondazheve”, tha ndër të tjera Arben Ahmeti./Telegrafi/