Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në Shkup ka takuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i cili po qëndron në Shkup në kuadër të Procesit “Bërdo-Brioni”, njoftojnë nga BDI.
Marrëdhëniet bilaterale, integrimi europian, mbështetja e ndërsjellë si dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese, theksojnë nga atje, ishin pjesë e bisedës në takimin mes Ahmetit dhe Begajt.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve është cilësuar në nivel të lartë në të gjitha sferat, pa asnjë çështje të hapur.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë tashmë po realizojnë shumë projekte bashkë, përfshirë ato në sferën ekonomike dhe infrastrukturore si porti i Thatë në Strugë, kontrolloi përbashkët kufitar, hekurudha që do të lidhë dy vendet si dhe Korridori i 8-të.
Rruga e integrimit europian që po e ecën Shkupi me Tiranën është vlerësuar me rëndësi të veçantë.
Dy vendet tona kanë nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa mbështetja e ndërsjellë është më se e domosdoshme në këtë proces kyç”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Nga atje shtojnë se procesi i ndryshimeve kushtetuese gjithashtu ka qenë pjesë e bisedës në këtë takim, ku kryetari Ahmeti e ka informuar presidentin Begaj për gjithë ecurinë dhe iniciativat deri më tani përfshirë edhe formimin e frontit europian./Telegrafi/