Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj në emisionin “Përballje” ka folur për Strategjinë e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Ahmetaj theksoi se strategjia e BE-së është një dokument që e rikonfirmon se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të hapur rrugën drejt integrimit Evropian.
“Strategjia brenda për herë të parë i adresohet Kosovës si shtet i barabartë me të tjerat. Strategjia e obligon arritjen e marrëveshjes së normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2019”, ka thënë Ahmetaj.
Ajo shtoi se kjo marrëveshje e obligon Serbinë që ta njoh shtetin e Kosovës.
” Kjo marrëveshje e obligon Serbinë që ta njoh pavarësinë e Kosovës. BE-ja e ka sqaruar se ata nuk dëshirojnë ta kenë edhe një Qipro tjetër brenda BE-së. Serbia dhe zyrtarët e sajë e dinë që rruga drejt BE-së kalon nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, tha Ahmetaj.
Ish ministrja theksoi se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.
Emisioni “Përballje”, është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:10 në RTV Dukagjini e Telegrafi.com. /Telegrafi/