Sergio Aguero ka dhënë parashikimin e tij se kush do të fitojë Ligën Premier në dhjetë xhirot e mbetura të edicionit 2022/23.
Arsenali mban një epërsi prej tetë pikësh ndaj Cityt, edhe pse kampionët e Pep Guardiolës kanë një ndeshje më pak dhe presin skuadrën e Mikel Artetës më 26 prill.
Aguero, golashënuesi rekord i Cityt që fitoi pesë tituj të Ligës Premier në dhjetë sezone me Blutë, mendon se përvoja e klubit të tij të vjetër në vitet e fundit në Angli, mund t’i japë atyre avantazhin.
“Kjo po dëshmon të jetë një garë e nxehtë për titull”, deklaroi Aguero. “Arsenali është shumë i qëndrueshëm – e njoh Mikel Artetën dhe e respektoj ekspertizën e tij. Ai di si ta bëjë ekipin e tij të performojë dhe të përdorë më mirë lojtarët e rinj dhe të uritur në skuadrën e tij”.
“Ne po mbajmë ritmin, megjithatë dhe jemi me këmbë në tokë. Por, ne gjithashtu e dimë, nga përvoja e kaluar dhe e testuar, se nuk ka mbaruar asgjë derisa të përfundojë sezoni.
“Një gjë është e sigurt, City do të luftojë deri në fund. Është në ADN-në tonë. Shpresoj t’i kapërcejmë dhe të fitojmë një titull tjetër”, ka shtuar më tej Aguero.
Manchester City është duke synuar ta fitojë titullin e Ligës Premier për herë të tretë radhazi, pasi në dy sezonet e fundit e rrëmbyen atë. /Telegrafi/