Telegrafi

Aguero: Interi ka një nga sulmet më të mira në Evropë

Interi vështirë se do të mbrohet në finalen e Ligës së Kampionëve me Manchester Cityn, paralajmëron Sergio Aguero, pasi sipas argjentinasit  ata kanë një nga sulmet më të mira në Evropë.

Përballja finale do të zhvillohet në stadiumin Ataturk në Stamboll të shtunën në mbrëmje nga ora 20:00.

Kampionët e Ligës Premier janë favoritët, por ish-sulmuesi i Man Cityt, Aguero e sheh Interin shumë të fortë në një pikë.

Lexo po ashtu Finalja e Ligës së Kampionëve: Vendi, koha, të rejat, formacionet e mundshme, yjet që duhen ndjekur

“Interi ka sulmues të mrekullueshëm. Po flasim për Edin Dzekon, por duhet të flasim për Lautaro Martinez, i cili pasi ka tejkaluar problemet fizike pas Kupës së Botës, ka qenë kyç për klubin italian dhe nëse shtojmë dhe Romelu Lukakun, shohim fuqinë që kanë”.

“Lukaku sjell shumë lojë fizike, e mban topin shumë mirë dhe përveç që është golashënues, ai dhe asiston. Me pak fjalë, një nga sulmet më të mira të Evropës”, ka thënë Aguero.

Dzeko e ka gjetur rrjetën 14 herë, aq herë sa e ka gjetur Lukaku, por me më pak ndeshje të zhvilluara.

Lexo po ashtu Guardiola flet për përballjen finale me Interin: Në Stamboll për ta bërë ëndrrën realitet

Lautaro Martinez e ka të garantuar vendi në sulm, pasi këtë sezon ka shënuar 28 gola dhe ka dhuruar 11 asistime në 56 ndeshje zyrtare. /Telegrafi/