Ish-zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, është paraqitur këtë të enjte në SPAK për të dhënë deklarime për çështjen e “21 Janarit”. Një ditë më parë, për këtë çështje u pyet ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Pas protestës së 21 Janarit, Burgaj ai u akuzua nga opozita socialiste e asaj kohe se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, që drejtohej nga Ina Rama, shkruan A2 CNN. Policia sakaq iu përgjigj asokohe akuzave me pretendimin se në urdhërarreste kishte gabime ortografike emrash dhe ishin shënuar me laps.
SPAK rihapi një prej çështjeve më të diskutuara të kronikës por edhe politikës, duke regjistruar hetim penal për vrasjen e Aleks Nikës, si edhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës gjatë protestës së dhunshme të vitit 2011 para kryeministrisë, ku mbetën të vrarë 4 persona.
Çështja u regjistrua nga SPAK në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë të marsit të këtij viti, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika. Sipas SPAK, hetimi është regjistruar për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, “shpërdorim të detyrës” e “kryerjes të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të treja kryer në bashkëpunim. Nga ana tjetër, referuar faktit se në Prokurorinë e Tiranës ishte një hetim i hapur për “21 janarin” titullari i SPAK, Altin Dumani, vendosi t’i kërkojë kësaj prokurorie të gjitha aktet e hetimit.
Ne kallëzimin e shkurtit 2023, që nuk u regjistrua nga SPAK, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Posaçëm, e veja e Aleks Nikës kallëzoi për “vrasje” dhe “grup kriminal” ish-kryeministrin, Sali Berisha, ish-ministrin e brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi.
Familjarët e Nikës pretenduan se zotëronin një audio-përgjim të komunikimeve të Gardës gjatë momenteve të protestës, ku flitej për hapje zjarri. Këtë material e dorëzoi në SPAK gazetari Artan Hoxha. Sipas tij, materiali i siguruar prej tij ishte regjistruar me një diktofon nga një person që ditën e ngjarjes kishte akses në kanalin ku komunikonin vetëm drejtuesit e Gardës. Pas administrimit, kjo provë pritet t’i nënshtrohet akt-ekspertimeve teknike për autenticitetin e më pas për identifikimin e personave të përfshirë. /Telegrafi/