Telegrafi

Agresioni rus në Ukrainë ka hyrë në javën e dytë – çfarë pritet të ndodhë më pas?

Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka hyrë në javën e dytë, por pasojat tashmë janë katastrofale.

Në shtatë ditët që kur trupat ruse pushtuan fqinjin e tyre perëndimor, qindra njerëz janë raportuar të vdekur dhe një milion kanë ikur për të shpëtuar jetën e tyre.

Çmimet e energjisë po rriten ndërsa në radhë mund të jenë të ushqimeve, shkruan në analizën e CNN.

Askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët në vijim, por vitet e paqes dhe stabilitetit në Evropë tashmë janë përmbysur dhe nëse luftimet zgjasin me muaj të tërë, kriza mund të ketë pasoja edhe më të mëdha.

Çfarë ndodhë me Kievin?

Presidenti rus Vladimir Putin ka qenë shumë i qartë me qëllimet themelore të pushtimit: Ai dëshiron të çarmatosë Ukrainën, të shkëpusë lidhjet e saja me aleancën ushtarake të NATO-s dhe t’i japë fund aspiratave të popullit ukrainas për t’u bashkuar me Perëndimin.

Ai ka thënë gjithashtu se dëshiron të çlirojë vendin nga ajo që ai e quan “banda e të varurve nga droga dhe neo-nazistët që janë vendosur në Kiev dhe kanë marrë peng të gjithë popullin ukrainas”, një referencë e pabazë dhe shumë e ngarkuar për të zgjedhurit në mënyrë demokratike të Ukrainës – qeverisë dhe presidentit të saj hebre, Volodymyr Zelensky, transmeton Telegrafi.

Forcat ruse po rrethojnë kryeqytetin ukrainas, Kievin, në një përpjekje të dukshme për të rrëzuar qeverinë dhe një kolonë ushtarake 65 kilometra e gjatë po shkon drejt qytetit, i cili është shënjestruar nga sulmet e shumta me raketa në ditët e fundit.

Zelensky është zotuar të vazhdojë të luftojë, por ai nuk ka asnjë iluzion se forcat e Putinit “duan të shkatërrojnë politikisht Ukrainën duke shkatërruar kreun e saj”.

Nëse ato forca marrin kryeqytetin, Ukraina ka politikanë të tjerë që mund të jenë të etur për të mbushur radhët e një regjimi kukull pro-rus.

Një nga aleatët kryesorë të Putinit në Ukrainë është Viktor Medvedchuk, një politikan dhe oligark i shquar. Ai po përballet me akuza për tradhti në Ukrainë dhe ka qenë në arrest shtëpiak, por vendndodhja e tij e saktë është e paqartë.

Synimet territoriale

Forcat ruse po zhvillojnë gjithashtu fushatë larg Kievit, duke u përpjekur të marrin nën kontroll qytetet kryesore në jug dhe juglindje të Ukrainës.

Kryebashkiaku i Khersonit pranoi se forcat ukrainase kishin dorëzuar kontrollin e qytetit tek rusët, duke u kërkuar banorëve që të mos i provokonin forcat pushtuese.

Richard Shirreff, ish Zëvendës Komandanti Suprem i Aleatëve për Evropën, tha se korridori tokësor ishte “një objektiv i dukshëm”.

“Ai e ka Krimenë në Federatën Ruse që nga viti 2014, ai ka qenë në gjendje ta furnizojë atë vetëm përmes urës së ngushticës Kerç dhe tani me siguri po kërkon të krijojë korridorin tokësor poshtë detit Azov”, shtoi Shirreff.

Nëse forcat ruse kapin qytetin port të Odesës, mund të imagjinohet Moska duke krijuar një urë tokësore që shtrihet në të gjithë Ukrainën jugore, potencialisht edhe duke lidhur Transnistrinë – një enklavë separatiste në Moldavi, ku janë vendosur trupat ruse – me Odesën, Krimenë dhe Ukrainën jugore dhe lindore.

Një Ukrainë e ndarë

Pjesë të Ukrainës së sotme i përkisnin më parë Polonisë, Çekosllovakisë dhe Rumanisë ndërmjet luftërave – dhe para kësaj, perandorisë austro-hungareze.

Nëse Putini ka në mendje ndarjen, Ukraina galike dhe qyteti i Lvivit – afër kufirit polak – mund të jenë potencialisht një pjesë e një lloj shteti ukrainas, ndërsa Rusia e përqendron vëmendjen e saj në lindje të vendit.

Një ndarje përgjatë këtyre linjave mund ta bëjë Ukrainën “të duket si Gjermania në epokën e Luftës së Ftohtë, me Ukrainën perëndimore më të varur nga Evropa dhe pjesën lindore” të zhytur në sferat ruse të ndikimit, të cilat përfshijnë Bjellorusinë, tha historiani dhe autori rus, Alexander Etkind.

Ky lloj ri-vizatimi i kufijve mund të jetë një fantazi ekspansioniste, por mund të veçojë atë që Moska – me të drejtë ose jo – e percepton si një pjesë më nacionaliste të Ukrainës.

Taktikat e betejës

Deri më tani, forcat ukrainase kanë arritur të përballen me ushtrinë më të madhe dhe shumë më të pajisur ruse.

Zyrtarët amerikanë kanë vënë në dukje se sa të gjata janë bërë linjat e furnizimit të Rusisë edhe në fazat e hershme të pushtimit. Siç shpjegoi një zyrtar i lartë amerikan për CNN-in, Rusia priste një fitore të shpejtë dhe mund të ketë neglizhuar planifikimin të furnizimit të mjaftueshëm të forcave të saj.

Por zyrtarët e administratës amerikane presin që Rusia të rrisë operacionet në Ukrainë, dhe Putin më parë ka treguar pak kujdes për të drejtat e njeriut ose rregullat e luftës moderne.

Forcat ajrore ruse mbështetën presidentin Bashar al-Assad në luftën civile siriane, duke ofruar fuqi dërrmuese zjarri për të shtypur grupet e armatosura të opozitës të vendit dhe duke rrafshuar lagje të tëra në proces.

Ekspertët kanë frikë se Kremlini mund të përdorë këtë lloj politike “të tokës së djegur” në Ukrainë, nëse përpjekjet e rezistencës vazhdojnë për të penguar planet e tyre, transmeton Telegrafi.

Ish-drejtori i CIA-s, gjenerali David Petraeus tha të hënën se ushtria ruse kishte filluar tashmë përdorimin e taktikave të tilla, duke përfshirë municionet me bomba thërrmuese. Ai tha gjithashtu se Kremlini po sillte municione termobarike – ndonjëherë të njohura si bomba vakum – të cilat krijojnë një valë presioni të zgjatur që mund të thithë oksigjenin nga një dhomë ose nga mushkëritë e një personi. Përdorimi i armëve të tilla në zonat civile është i ndaluar nga ligji ndërkombëtar humanitar.

“Kam frikë se do të shohim më shumë nga kjo”, tha Petraeus. “Ata do të rrënojnë disa qytete, dyshoj, sepse në një farë mënyre ata pothuajse duhet të shpopullojnë zonat ose nuk janë të sigurta në to, dhe ne i kemi parë ta bëjnë këtë në të kaluarën”, shtoi ai.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha të mërkurën se Rusia po lëvizte armë të ndaluara në Ukrainë “Ne kemi parë video të forcave ruse duke lëvizur armë jashtëzakonisht vdekjeprurëse në Ukrainë, e cila nuk ka vend në fushën e betejës”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha të mërkurën se beson se Rusia synon qëllimisht civilët në Ukrainë, por nuk pranoi të thoshte nëse ai besonte se po kryheshin krime lufte.

Sanksionet

Kremlini pranoi të mërkurën se ekonomia e Rusisë po merr “goditje serioze”, pasi sanksionet e paprecedentë dhe izolimi në rritje i vendit grumbullojnë presion mbi sistemin e saj financiar të lëkundur.

Kompanitë ndërkombëtare kanë filluar mbylljen ose pezullimin e operacioneve të tyre në Rusi.

Apple, kompania më e vlefshme në botë, njoftoi të martën se kishte ndaluar shitjen e të gjitha produkteve të saj në Rusi për shkak të pushtimit të Ukrainës, ndërsa Boeing dhe Airbus po pezullojnë mbështetjen e tyre për linjat ajrore ruse.

Pasuritë energjetike të Rusisë nuk janë shënjestruar drejtpërdrejt nga sanksionet perëndimore, por shumë nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë po largohen nga vendi ose po ndalojnë investimet e reja. Moska po e ka gjithashtu më të vështirë t’u shesë dërgesat e naftës së papërpunuar ruse tregtarëve dhe rafinerive të shqetësuara se do të kapen në rrjetën e sanksioneve financiare.

Planifikuesit ekonomikë të Putinit kanë kërkuar të nxisin prodhimin vendas të mallrave të caktuara duke bllokuar produktet ekuivalente nga jashtë.

Moska ndërkohë ka grumbulluar një arkë lufte prej 630 miliardë dollarësh në rezerva ndërkombëtare – një shumë e madhe në krahasim me shumicën e vendeve të tjera – që mund të shpenzohen nëse kafshojnë sanksionet. /Telegrafi/