Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Ansi Agolli, ka folur pas humbjes 0-1 nga Përfaqësuesja e Italisë.
Mbrojtësi kërkoi falje për humbjen, por thotë se ishte një ndeshje e mirë nga skuadra jonë.
“U munduam ta përgatisim sa më mirë ndeshjen vetëm brenda tre ditëve që kishim në dispozicion dhe guxuam të sulmonim një skuadër cilësore, që na ndëshkoi”, u shpreh Agolli pas humbjes minimale me Italinë.
Sa i takon momentit të golit, ai thotë se ka munguar komunikimi mes lojtarëve në zonë dhe kjo solli një vendosje jo të duhur te goli i Antonio Candrevas.
“Ishte një mungesë pozicionimi. Nuk komunikuam me njëri-tjetrin. Më vjen keq, pasi zhvilluam një ndeshje të mirë dhe guxuam, patëm edhe ne rastet tona, por nuk mundëm të merrnim më shumë”, tha Agolli.
Shqipëria i mbyllë kualifikimet për Botëror me 13 pikë në vendin e tretë të Grupit G, me 10 pikë më pak se Italia në vendin e dytë dhe 15 pikë më pak se Spanja në vendin e parë.
Shqipëria në kampanjën kualifikuese kishte katër fitore, një barazim dhe pesë humbje. /TCh/Telegrafi/