Agjenti i Georginio Wijnaldum, Humphry Nijman, ka lënë derën e hapur për Bayern Munich për të diskutuar një marrëveshje për mesfushorin e Liverpoolit.
Ndërsa gjërat qëndrojnë kështu, 30-vjeçari holandez do të marrë një sfidë të re gjatë verës.
Kontrata e tij në Anfield po mbaron dhe nuk ka pasur asnjë tregues se do të nënshkruhen kushte të reja, duke hapur rrugën që klubet evropiane të hyjnë në bisedime për transferimin e holandezit.
Gjigandët gjermanë të Bayernit janë të fundit që janë lidhur me një transferim falas të Wijnaldum dhe agjenti i lojtarit ia ka hapur derën tashmë.
“Wijnaldum është një transferim falas dhe i mban të gjitha opsionet të hapura”, ka thënë fillimisht Nijman për Sport1.
“FC Bayern është një klub i shkëlqyeshëm. Nëse jeni të interesuar për të, ju lutem mos ngurroni të flisni me ne”, përfundoi agjenti.
Wijnaldum ka qenë së fundmi i lidhur edhe më një transferim te Barcelona dhe Interi. /Telegrafi/