Agjenti i Alvaro Moratas ka thënë se oferta e Milanit ishte e pakënaqshme për Real Madridin, por ajo e Manchester Unitedit është shumë interesante.
Ish-sulmuesi i Juventusit kërkohej nga Rossonerët, por ata sot nënshkruan me Andre Silvën nga Porto për 38 milionë euro, duke treguar se ndjekja e spanjollit ka mbaruar.
Këtë e ka treguar edhe agjenti i sulmuesit spanjoll, i cili ka deklaruar se transferimi i klientit të tij nuk ndodhi pasi Milani ofroi pak para.
“Ka pasur kontakte të shpeshta me ne deri para pak ditësh”, ka thënë Juanma Lopez për calciomercato.com kur u pyet për ofertën e klubit Diavolo.
“Mund ta konfirmoj këtë. Shumë thjesht, Real Madridi e cilësoi ofertën e Rossonerëve si të pakënaqshme”, përcjell Telegrafi.
“Manchester United? Është një klub me histori të madhe, një opsion shumë interesant”.
“Unë mund të them se ata kanë një ofertë shumë, shumë të rëndësishme dhe tani vendimi shkon tek Reali. Do ta shohim”, përfundoi agjenti i Moratas. /Telegrafi/