Jorge Mendes beson se klienti i tij Cristiano Ronaldo duhet të fitojë Topin e Artë, pasi sipas tij kurrë nuk e ka merituar aq shumë sa këtë vit.
Ish-sulmuesi i Juventusit është përfshirë natyrshëm në mesin e 30 lojtarëve më të mirë të vitit nga France Football për Topin e Artë.
Sidoqoftë, pavarësisht se kishte fituar tashmë pesë Topa të Artë gjatë karrierës së tij, Ronaldo nuk duket të jetë ndër kandidatët kryesorë për të fituar trofeun këtë vit.
Leo Messi dhe ylli i Italisë dhe Chelseat, Jorginho, duket se janë favoritët, duke pasur parasysh arritjet e tyre me ekipet e tyre kombëtare.
Messi fitoi Kupën e Amerikës me Argjentinën dhe Jorginho triumfoi në ‘Euro 2020’ me Italinë, teksa gjithashtu ngriti Ligën e Kampionëve me Chelsean, duke u bërë kampionë të Evropës për klubin dhe vendin.
Pavarësisht këtyre arritjeve, Mendes beson se është Ronaldo ai që duhet të emërohet lojtari më i mirë i vitit duke fituar Topin e Artë.
“El Balón de Oro tiene nombre: Cristiano Ronaldo”: Jorge Mendes | Videohttps://t.co/0w9IopdkwE pic.twitter.com/WFnfuQ8Uuk
— Aristegui Noticias (@AristeguiOnline) October 15, 2021
“Topi i Artë ka vetëm një emër, Cristiano Ronaldo”, ka thënë fillimisht Mendes për France Football.
“Ai kurrë nuk e ka merituar aq shumë sa këtë vit. Golashënuesi më i mirë në Serie A dhe në Euro 2020”.
“Ai mban rekordin për gola në Ligën e Kampionëve dhe është i vetmi që ka fituar gjithçka në tre vende të ndryshme”.
“Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit. Është një gjë vendimtare, duhet të jetë kështu për trofeun, sepse ai vazhdon të dëshmohet se është lojtari më i mirë në histori”, përfundoi agjenti i portugezit. /Telegrafi/