Agjenti i Elseid Hysaj ka hedhur dyshime mbi një kontratë të re me Napolin, duke pretenduar se Chelsea janë të interesuar ende për mbrojtësin shqiptar.
E ardhmja e mbrojtësit të djathtë shqiptar është ende e paqartë dhe në udhëkryq.
Mario Giuffredi ka thënë javën e kaluar se do të diskutojë për një rinovim për Hysajn me presidentin e Napolit Aurelio De Laurentiis.
Por, paraqitjet e Kevin Malcuit dhe një stagnimi i bisedimeve të kontratës e çoi përfaqësuesin e Hysajt të flasë për një lëvizje në Chelsea.
“Chelsea është ende pas Hysajt? Nëse e shihni Napoli po luan me Malcuit dhe po shikon lojtarë të tjerë, kjo do të thotë qartë se ka edhe pyetje”, ka thënë fillimisht Giuffredi për Radio CRC.
“Ata që thonë ndryshe janë të keqinformuar”.
“Hysaj është një lojtar që mund të bëjë mirë në futbollin anglez, pasi ai është shumë fizik dhe është duke u shikuar nga klubet e mëdha”.
“A vlen ai 50 milionë euro? Për mua, ai ka vlerë 60 milionë euro”, përfundoi agjenti i yllit të kombëtares shqiptare. /Telegrafi/