Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Gabriel Jesus, Marcelo Pettinati ka konfirmuar bisedimet me Arsenalin.
Jesus nuk ka qenë titullar i rregullt në dy sezonet e fundit nën urdhrat e Pep Guardiolas te Cityt.
Mundësitë e tij pritet të pakësohen edhe më shumë në sezonin e ri pasi transferimit të Erling Haaland nga Manchester City.
Kështu, ylli brazilian pritet të largohet në verë nga Etihad, por mund të mbetet edhe më tej në Ligën Premier.
Agjenti i Jesusit ka konfirmuar bisedimet me Arsenalin, teksa ka shtuar se ka edhe gjashtë klube tjera të interesuara për transferimin e tij.
“Ne patëm bisedime me Arsenalin për Gabriel Jesus, na pëlqen projekti – është një mundësi që po e diskutojmë”, ka thënë fillimisht Pettinati.
“Ka 6 klube të tjera të interesuara për Gabrielin – ai është i fokusuar në ndeshjet e fundit me Man City, pastaj do të shohim”, përfundoi agjenti i sulmuesit. /Telegrafi/