Merih Demiral do të largohet nga Atalanta këtë verë – ka thënë agjenti i tij, i cili ka konfirmuar se Interi është mundësi shumë reale për hapin e radhës në karrierë.
Sky Sport Italia, Sportitalia dhe media të tjera kanë raportuar se shumë klube janë të interesuar për mbrojtësin turk, i cili nuk ndodhet lart në prioritetet e Gian Piero Gasperinit në Bergamo.
Për shkak të minutazhit jo të pëlqyer të lojës, Demiral dëshiron të largohet dhe përfaqësuesi i tij e ka bërë të qartë këtë gjë.
“Demiral 101 për qind do të largohet nga Atalanta”, ka thënë Furkan Yildrim për FCInterNews.it.
Agjenti është pyetur për thashethemet për kalimin te skuadra e Simone Inzaghit që ka nevojë për qendërmbrojtës pas largimeve të Milan Skriniar e Danilo D’Ambrosio si lojtarë të lirë.
“Interi është një mundësi konkrete. Bisedimet nuk ka filluar ende, por jemi të gatshëm t’i nisim kur të ndodhin”, ka deklaruar Yildrim.
25-vjeçari për herë të parë arriti në Serie A në janar të vitit 2019 te Sassuolo, pastaj u transferua te Juventusi gjashtë muaj më pas për 19.5 milionë euro. Zonja e Vjetër fillimisht e huazoi dhe më pas e shiti te Atalanta për 21 milionë euro dhe po ashtu do të përfitojë 10 për qind nga shitja e mëtutjeshme. /Telegrafi/