Me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe për arsye të interesit nacional strategjik, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka marr përsipër azhurnimin e parcelave të shpronësuara në Regjistrin e të Drejtave mbi Pronën e Paluajtshme.
Agjencia Kadastrale të Kosovës njofton se me propozimin e Departamentit të Shpronësimit në kuadër të MMPHI, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin Përfundimtar Nr.19/67 me datën 09.03.2022 për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat janë pjesë e projektit për ndërtimin e ‘’Poligonit Kryesor të Trajnimeve’’ për nevoja të FSK-së.
“Poligoni përfshinë zonat Kadastrale: Babaj i Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Çerret dhe Devë të Komunës së Gjakovës. Gjithësej janë përfshi 407 parcela. Gjithashtu Qeveria me propozimin e Departamentit të Shpronësimit ka miratuar Vendimin Përfundimtar Nr.17/89 me datën 20.07.2022 për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat gjenden brenda Lokacionit të ish “Aeroporti i Gjakovës” për nevoja të realizimit të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes për zonat Kadastrale: Bec, Trakaniq dhe Janosh të Komunës së Gjakovës”, thuhet në njoftim.
Me qëllim të përshpejtimit të procedurave, elaborati i shpronësimit për këtë lokacion është punuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe janë përfshi 24 parcela.
“Të gjitha pronat e shpronësuara janë bartur në emër të Republikës së Kosovës dhe me këtë veprim është hapur rruga për realizimin e projekteve strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e AKK-së. /Telegrafi/