Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku edhe e fitoi një tjetër mandat katërvjeçar, Agim Ademi ka dalë në një konferencë për media, por nuk pranoi që t‘iu përgjigjej pyetje të tyre.
Ademi foli për Kuvendin Zgjedhor të cilin e cilësoi të suksesshëm dhe premtoi se do të punojë për të mirën e futbollit.
“Sot pra është kryer Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit, mora nominimin për edhe një mandat katërvjeçar për kryetar të federatës me moton “Bashkë rreth Futbollit”. Unë i falënderoj shumë delegatët të cilët në shumicë pikërisht u vërtetua kjo moto që e kemi bërë bashkë për futbollin sepse ishim shumica e delegatëve apo më mirë të themi ishim më shumë se dy të tretat”, ka thënë fillimisht Ademi në konferencë.
“Unë do të jem edhe për këto vite krahas futbollit, do të jem bashkë me klubet, krahas klubeve, për të gjitha klubet. E kam pranuar dhe e pranoj edhe mendimin ndryshe edhe për ata të cilët nuk janë pajtuar deri më tani me mua”.
“Besoj që me punë dhe me angazhim do t’ua rikthej besimin të gjithëve sepse e kemi vetëm një motiv, motivi ynë është futbolli. Loja jonë është futbolli dhe ne do të jemi gjitha bashkë për lojën e futbollit”.
“Shpresoj që secili do të kontribuojë në mënyrën e vet më të mirë të mundshme prej pozicionit që është që futbolli të na ec më mbarë dhe të vazhdojmë zhvillimin. Pra vota ime sot është obligim për mua dhe zhvillim për futbollin”.
U pyetur nga gazetarët për arsyen e përjashtimit të mediave, Ademi nuk pranoi të flasë, por kërkoi që këtë ta bëjë ushtruesi i detyrës se Sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj.
Mirëpo, edhe Hodaj nuk dha përgjigje për këtë çështje.
“Faleminderit media të nderuara, të respektuara. I keni pasur LIVE të gjitha edhe faleminderit. Kemi pasur një kuvend të suksesshëm dhe çdo herë jeni të mirëseardhura të bëni pyetje dhe përgjigje”, ka thënë Hodaj dhe u largua menjëherë nga foltorja. /KP/