Ish-portieri i kombëtares gjermane të futbollit, Jens Lehmann është dënuar në gjykatë në qytetin e tij të lindjes, Starnberg, pasi ka dëmtuar garazhin e fqinjit të tij me sharrë elektrike, njoftoi agjencia gjermane DPA.
Gjykata vendosi një gjobë totale prej 420 mijë eurosh për dëmtim të pasurisë, sjellje ofenduese dhe mashtrim në tentativë.
Rrethanat e këtij incidenti janë mjaft të pazakonta dhe mediat gjermane e cilësuan gjyqin si një nga më të çuditshmit.
Lehmann pati një debat me fqinjin e tij për garazhin, duke thënë se garazhi ia bllokoi pamjen e liqenit nga shtëpia e tij.
Ish-portieri i Schalke, Milan, Borussia Dortmund, Arsenal dhe Stuttgart hyri në garazhin e një fqinji pranë liqenit Starnberg në Bavarinë e Epërme dhe preu një nga trarët.
Lehmann u kap në flagrancë nga një kamerë vëzhgimi që po regjistronte me një bateri rezervë, pavarësisht se Lehmann shkëputi kabllon e kamerës nga priza përpara se të hynte në garazh.
Lehmann ka pranuar se ka hyrë në garazh me sharrë elektrike në dorë, por edhe se nuk mban mend asgjë. /Telegrafi/