Site icon Telegrafi

Administrata Tatimore i reagon ministrit Zemaj: Nuk e bëjmë monitorimin e çmimeve të testeve për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas vizitës në Mjekimin Qendror Intensiv në Qendrën Klinike Universitare, përgjegjësinë për kontrollimin e çmimeve për testimet në laboratorët privat të licencuar nga ky dikaster e ka hedhur te Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Konkurrencës.

Zemaj kishte thënë se MSH-ja i ka licencuar të gjitha laboratorët privat që i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e kërkuara.

“Ne kemi licencuar më shumë se 120 laboratorë jemi në proces të licencimit edhe të tjerëve dhe ministria e Shëndetësisë dhe Bordi për licencim të gjithë ata që do i plotësojnë kushtet dhe kriteret do të licencohen. Është kompetencë e organeve tjera të cilat i mbikëqyrin qoftë Agjencia Kosovare e Konkurrencës, qoftë Administrata Tatimore e Kosovës, por ne e bëjmë punën tonë profesionale dhe kemi krijuar mundësi përtej kapaciteteve tona të ketë edhe testime në aspektin e laboratorëve të licencuar privat”, ka thënë Zemaj.

Lidhur me këtë, Administrata Tatimore e Kosovës sqaron se sa i përket çështjes së monitorimit të çmimeve për test të COVID-19 nga ana e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, këtë agjenci asnjë dispozitë ligjore nuk e obligon dhe nuk i jep të drejtë për të monitoruar procesin e rregullimit të çmimeve të shitjes.

Lexo po ashtu ​Zemaj: Agjencioni i Konkurrencës dhe Administrata Tatimore i mbikëqyrin çmimet, jo Ministria e Shëndetësisë

“ATK bën me dije se i vetmi organ, i cili ka bazë ligjore për të monitoruar aplikimin e çmimeve monopoliste, si dhe të zbatimit të konkurrencës së drejt në treg është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. ATK nuk është institucion i thirrur për të monitoruar çmimet e tregut, ky institucion është organ i autorizuar me ligj për të mbledhur tatimet ashtu siç e kërkon ligji, nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë që zhvillojnë aktivitet ekonomik në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Ministri i Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se deri tani janë licencuar 120 laboratorë për të kryer testimet për COVID-19, dhe se janë në proces të licencimit edhe të disa laboratorëve tjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version