Adama Traore është njëri nga futbollistët më në formë këtë edicion në Ligën Premier.
Sulmuesi spanjoll është që dy vite pjesë e Wolverhampton, derisa këtë edicion ka pasur paraqitje fantastike.
Në 38 ndeshje në të gjitha garat, Traore ka shënuar pesë gola dhe ka bërë 10 asistime, duke zgjuar interesimin e Barcelonës dhe Real Madridit.
24-vjeçari ka thënë fillimisht se ndihet mirë dhe shumë i lumtur si futbollist i Wolverhampton.
“Jam mirë dhe shumë i lumtur tek Wolves. Ky është një klub i madh dhe skuadra është e mrekullueshme”.
Tutje reprezentuesi spanjoll i është përgjigjur edhe pyetjes nëse do t’i bashkohej Real Madridit.
Traore ka thënë se nuk do të kishte asnjë problem dhe do të luante për Realin, duke lënë anash të kaluarën e tij te Barcelona.
“Nëse Reali do të interesohej për mua nuk do ta kisha problem të luaja aty. Do të ishte një kënaqësi”, tha Traore.
Kujtojmë që Traore ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Barcelonës, derisa në vitin 2015 u largua në drejtim të Anglisë ku fillimisht luajti për Aston Villën e më pastaj për Middlesbroughin. /Telegrafi/