Lëvizja Vetëvendosje së fundmi ka publikuar një video ku i akuzon partitë opozitare dhe liderët e tyre si shkatërruese të shtetit. E kjo video ka shkaktuar debate të shumta në shoqëri dhe politikë.
Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini deputeti i LVV-së Artan Abrashi dhe analisti Imer Mushkolaj duke u bazuar në përmbajtjen e kësaj video, janë përplasur ashpër.
“Videoja është në kuadër të qëndrimeve tona konsekuente prej disa viteve. Ne çdo ditë publikojmë punë e të arritura, që nëse më duhet t’i përmend në emision më duhet gjysmë orë kohë, por nuk e di a më lejoni ta bëjë këtë. Kemi vërejtur bashkë me kolegët deputetë se brenda një dite, kundër Lëvizjes Vetëvendosje prodhohen mbi 140 lajme kundër Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Thjeshta agjitacion i pastër opozitar kundër Qeverisë Kurti”, ka deklaruar Abrashi.
Por ka reaguar ashpër analisti Imer Mushkolaj, i cili ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për punën e bërë për një vit e gjysmë. Sipas tij, për gati gjysmë mandati, nuk është shtruar asnjë rrugë dhe po ashtu, nuk janë mirëmbajtur si duhet as ato ekzistueset.
“Nëse mendon që mediat dhe gazetarët, opinionistët që ju kanë përkrahë të vini në pushtet, kanë me heshtë dhe të thonë sa bukur po qeverisë Kurti, kur nuk bën asnjë punë të hairit, pa menaxhuar fare? Cilat janë rezultatet, cilat? Një vjet asnjë rrugë nuk keni shtruar. Magjistralet janë bërë më keq se që kanë qenë. Mos gjeni fajtor kujdestar. Ata janë dënuar me 14 shkurt. Më shumë se ju ne i kemi kritikuar ata. Ato skandale ne i kemi nxjerrë, jo ju”, ka thënë ai.
Njëjtë sikurse Mushkolaj, mendon edhe Astrit Gashi, i cili ka thënë se gjuha e pushtetit ndaj mediave nuk është e duhura.
Gashi ka thënë se skandalet e zbuluara janë bërë nga mediat dhe jo nga partitë opozitare të cilësdo kohë./Telegrafi/