Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arban Abrashi ka reaguar pas përplasjeve të Vetëvendosjes dhe të LDK-së, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të tregojë nëse ai qëndron prapa gjithë kësaj.
Abrashi ka plasuar në Facebook disa prej komenteve të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë sulmuar verbalisht kreun e LDK-së Isa Mustafa për shkak të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike, Agim Veliu.
“Ushtria e kujt? Sot ishim dëshmitarë të një organizimi e orkestrimi të një ushtrie “virtuale” kundër LDK-së dhe kryetarit Mustafa, me një orientim të dalluar; në secilën deklaratë, koment e postim është vërejtur gjuhë e urrejtjes, ‘urime për vdekje’, thirrje për linçime etj., që tregon, se partnerët tanë politikë, nuk e kanë për qëllim unitetin, por në fakt vetëm keqpërdorimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri Kurti, bën mirë të na tregojë nëse është pjesë e këtij organizimi? Nëse jo, pse nuk ndërmerr masa ndaj atyre që keqpërdorin emrin e tij?”, shkruan ai.
Sipas tij, LDK-ja dhe kryetari Mustafa kanë ofruar mundësi bashkëpunimi me VV-në, por që ‘nuk mund të kërkohet unitet e tolerancë, nga ata që bëjnë kërcënime, linçime, shpallje tradhtarësh, sulme fizike ndaj gazetarëve, dhe fushata denigruese në rrjetet sociale ndaj personaliteteve politike dhe shtetërore’.
“Shumë të tjerë para VV-së kanë provuar ta nënshtrojnë LDK-në, por historia ka treguar se ne jemi rreshtuar në anën e drejtë dhe kemi qëndruar të pathyeshëm. Partneritetin dhe miqësinë me Amerikën dhe BE-në, LDK-ja nuk e zëvendëson me projekte të izolimit dhe kapitullimit të shtetit. Përpjekja e Kurtit për t’u fshehur prapa gjendjes së pandemisë është e kotë, ai shkaktoi krizën në koa licion për t’i ikur përgjegjësive shtetërore dhe në përpjekje për të fshehur raportet e tendosura të me aleatët kryesorë të Kosovës, SHBA”, shkruan Abrashi, njofton Telegrafi.