Videos së Lëvizjes Vetëvensosje, ku akuzoheshin partitë opozitare, i është kundërpërgjigjur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai përmes një video-adresimi, ka thënë se “teksa po hyjmë në vitin e tretë të Qeverisë, është koha t’i numërojmë të gjitha mashtrime e mëdha të pushtetit”.
Ai ka thënë se LVV-ja i ka thyer vetë premtimet e saja, sipas tij për shkak të paaftësisë, “arrogancës e ngarkesës me të shkuarën”.
Abdixhiku, i ka renditur premtimet të cilat sipas tij partia në pushtet nuk është duke i realizuar.
Ai e ka përmendur premtimin për ndërtimin e çerdheve të reja si dhe premtimin për ndërtimin e 4 mijë banesave për çifte të reja.
“Premtuan ndërtimin e 160 e çerdheve në Kosovë për të ngritur edukimin e fëmijëve tanë; por në prag të vitit të tretë nuk është ndërtuar asnjë. Premtuan ndërtimin e 4 mijë banesave, për çifte të reja me 120 euro këst mujor por sot dy vite pas, nuk kemi as gurthemel për to”, ka thënë ai.
Po ashtu, Abdixhiku, e ka përmendur edhe rritjen e tatimit në pronë si dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
“Në krizën më të madhe të vendit rritën tatimin në pronë. Premtuan përballueshmëri të kostos së jetesës, për të varfërit e për shtresën e mesme, por pëgjatë dy viteve të shkuara, çmimet e produkteve bazike janë rritur 50%”, ka thënë ai.