Site icon Telegrafi

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Pa pjesëmarrjen e SHBA-së nuk duhet të ketë dialog me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti ka thënë se ia kanë dorëzuar një dokument të pozicionit politik të LDK-së lidhur me dialogun me Serbinë.

Abdixhiku në një prononcim për gazetarët tha se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog.

“Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog është e pakontestueshme dhe pa SHBA-të as duhet të ketë dialog. Ne vlerësojmë rolin e Bashkimit Evropian por domosdoshmërish kërkojmë përfshirjen e SHBA-së në dialog dhe kjo është e padiskutueshme”, tha ai, raporton Telegrafi.

“Ne bëmë një qartësim, kërkesë dhe ofertë.  Qartësimi ishte mbi dokumentet e dorëzuara te kryeministri dhe rikonfirmuam se të gjitha dokumentet që i ka pasur qeveria e kaluar i janë dorëzuar kryeministrit, nëse nuk i kanë ose i kanë humbur mund t’i kërkojnë sërish.

Bëmë një kërkesë që kishte të bëjë me pozicionin politik të Qeverisë që duhet ta ketë, e ta prezantojë në Kuvend. Pra, Kosova duhet të dijë cili është qëndrimi politik i Qeverisë për dialogun dhe po e presim.

Dhe bëmë një ofertë ku i dorëzuam kryeministrit një dokument të pozicionit politik të LDK-së… Kryeministri tashmë ka dokumentin për pozicionin politik të LDK-së. Ky dokument përmban parimet që duhet Kosova t’i mbrojë, e që janë diskutimet mbi bazën e vendimit të GJND për pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar dhe rendit kushtetues, dhe rezultati final njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE dhe NATO”.

Sipas tij, derisa kryeministri Kurti e ka këtë dokument mund ta përdorë si platformë të tij dhe derisa vepron në bazë të saj LDK nuk ka asnjë problem.

Ai tha se Kosova nuk ka nevojë për ekip negociator në bisedimet me Serbinë, pasi e qeverinë.

Lidhur me takimin Kurti-Adixhiku ka njoftuar edhe Kryeministria. Në njoftim thuhet se Kurti e njoftoi Abdixhikun për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

“Z. Abdixhiku, ia shprehu kryeministrit Kurti pikëpamjet e tij dhe të subjektit që udhëheqë lidhur me dialogun, të cilat ia dorëzoi edhe në formë të shkruar. Ai theksoi se LDK-ja do të përkrahë procesin e dialogut nëse do të respektohen parimet e prezantuara në dokumentin e dorëzuar dhe rezultat përfundimtar do ta ketë njohjen e ndërsjellë”.

Kryeministri Kurti dhe kryetari i LDK-së u pajtuan që diskutimi rreth dialogut të vazhdojë edhe në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri e vlerësoi rëndësinë e  bashkëpunimit pozitë-opozitë. /Telegrafi/

Exit mobile version