Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku, ka hedhur kritika ndaj Qeverisë Kurti, për mburrje e popullizëm.
Abdixhiku ka numëruar dështimet e Qeverisë në politikën e jashtme, duke thënë se për tri vite nuk ka sjellur asnjë njohje.
“Me njohje pasaportash por asnjë njohje të re në tre vjet. Njohja e fundit ishte nga Izraeli, 3 vite më parë; pa ta! Asnjë njohje, asnjë anëtarësim! Sanksione e mbi 300 milion euro humbje nga ky izolim”, tha ai.
Kreu i LDK-së, përmendi edhe marrëveshjen e fundit me Elektroseverin, për faturimin e energjisë në veri, duke thënë se ishte vet Kurti që e kishte kundërshtuar dikur në opozitë.
“Mburren me mbledhjen e faturave në veri nga ‘ELEKTROSEVERI’, kompani në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka mbi 7 vite që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje madje dhe me protestë. Sot marrëveshjen e njëjtë e trumbetojnë si histori”, u shpreh ai.
Për liberalizimin e vizave, Abdixhiku tha se vonesa e lëvizjes së lirë ka ndodhur pikërisht për shkak të Kurtit.
“Mburren me liberalizim, proces që e kishin ndërprerë me dhunë qysh në vitin 2016. Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion”, tha më tej.
Sipas tij, këto tri vite qeverisje janë të humbura në plotni.
“Pa projekte madhore, pa arritje kapitale, pa forcim të shtetësisë ndërkombëtarisht”.
“Kosova mundet më mirë! Kosova meriton shumë më mirë”, shkroi Abdixhiku në Facebook./Telegrafi/