Site icon Telegrafi

Abazoviq: Mali i Zi dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë

Është e qartë për të gjithë se Mali i Zi qëndron në mënyrë të vendosur me partnerët e BE-së dhe NATO-s dhe se ne dënojmë fuqishëm agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, tha mandatari për të krijuar qeverinë e re, Dritan Abazoviq.

Ai tha se në forumin e Antalias është prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme politika e jashtme e Malit të Zi.

“Dhe është e qartë për të gjithë se ne qëndrojmë me vendosmëri me partnerët tanë në BE dhe NATO, dënojmë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Me vendosmëri njohim integritetin territorial të Ukrainës dhe popullit ukrainas, por edhe me popullin e Federatës Ruse që kundërshton politikën e tyre”, tha politikani shqiptar, raporton rtcg.

Ai thotë se në të gjitha takimet me zyrtarë të BE-së dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme, ishte e rëndësishme të theksohej “se ata kanë një partner të besueshëm në Mal të Zi”, dhe se “Mali i Zi është një vend me mundësi të mëdha”.

“Unë jam optimist për të ardhmen tonë. Situata, sado serioze të duket, është një tregues se integrimi në BE nuk ka alternativë, se Mali i Zi duhet të përfundojë detyrat e shtëpisë dhe se Komisioni Evropian do të dijë ta vlerësojë atë dhe të na mundësojë të jemi një anëtar i BE-së sa më shpejt të jetë e mundur”, tha lideri i URA-s.

Ndryshe, Abazoviq në forumin e organizuar prej shtetit turk është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin si dhe kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version