Site icon Telegrafi

Haki Abazi thotë se Kurti urdhëroi shkarkimin e tij, paralajmëron publikimin e video incizimeve dhe skandaleve

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka njoftuar se me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është iniciuar shkarkimi i tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë.

Abazi ka paralajmëruar se të enjten, në orën 10:00, do të mbajë një konferencë për media ku do të flas lidhur me kërkesën e Kurtit për shkarkimin e tij, por edhe për gjëra të tjera.

“Nesër në ora 10:00, në hollin e Kuvendit, ju ftoj për konferencë për media lidhur me urdhrin e Kryeministrit Kurti për të kërkuar nga Kuvendi shkarkimin nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë”, ka shkruar Abazi, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “nesër po ashtu flasim për audio/video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë”.

Ndryshe, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të enjten, si pikë e veçantë e rendit të ditës është edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Ndërsa, deputeti Abazi kohët e fundit shpesh herë me deklaratat e tij ka dalë kundër qëndrimeve të partisë së tij në Kuvend.

Ai kishte kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit Kurti për targat. Abazi ka është deklaruar edhe kundër Strategjisë së energjisë si dhe kundër themelimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme.

Kuvendi i Kosovës këtë javë do t’i mbajë dy seanca, njërën të enjten (16 shkurt) dhe tjetrën të premten (17 shkurt) për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së vendit.  /Telegrafi/

Exit mobile version