Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kritikuar sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se qytetarët janë duke kuptuar që edhe ai është me thika pas shpine.
Abazi ka përmendur edhe ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për të cilin siç ka shkruar, dikur thuhej se ai vendoste thikat mbi harta në negociata me Serbinë.
“Thaçi thikat mbi harta, Kurti thikat pas shpine të bashkëpunëtorëve – në fund Lajçaku fajtori kujdestar, e ne të gjithë figura historike edhe Oliver Ivanoviçi, bashkë me të gjithë krijuesit e shoqërisë multi në Kosovë!”, ka shkruar deputeti në Facebook.
“Kjo është thënë para dy viteve, nuk është risi kur e ke fut bishtin mes këmbëve. “Institutet” që konstatojnë gjendje, janë altoparlantë për justifikim të dështimit dhe frika që populli po e kupton që edhe ky me thika është! Lajçaku është kurban i vonuar, dështimi nuk fshehët më!”.
Tutje, Abazi ka thënë se njerëzit po ikin nga “të mirat” për profesionin e argatit në perëndim.
“Çështja është serioze, nuk bën me u zgërdhi, njerëzit po ikin nga të “mirat, mirëqenia dhe respekti”, po ikin e po i lënë punët e trojet e tyre për profesionin e argatit në perëndim, atje ku i shërbehet parajsës së zotnisë sepse nuk duan të jenë dëshmitarët e zhgënjimit dhe falsifikimit të historisë para syve të tyre! Vazhdojmë vazhdimin me qenin topall në QKUK!”, ka përfunduar deputeti. /Telegrafi/