Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Haki Abazi ka thënë se situata në veri të Kosovës ka shkaktuar vakuum institucional.
Abazi përmes një konference për media ka thënë se targat kanë qenë vetëm një pretekst i Serbisë që të tregojë muskujt e vërtetë.
Sipas tij, edhe pak ka mbetur nga data 21 nëntor dhe siç tha ai të gjithë janë të alarmuar për këtë situatë të krijuar.
“Situata në veri pas urdhrit nga Beogradi ka shkaktuar vakum institucional. Targat kanë qenë vetëm një pretekst i Serbisë që të tregojë muskujt e vërtetë pas Procesit të Berlinit e nënshkrimit të marrëveshjeve atje. Po i afrohemi 21 nëntorit, të gjithë janë të alarmuar, përfshi edhe partnerët ndërkombëtarë tanë atje. Kjo brengosje është dhe tek ne këtu”, tha ai.
Abazi theksoi se Serbia është e paparashikueshme me atë që mund të bëj duke përdorur dhe jetët e serbëve në veri.
“Për ne është e rëndësishme që çdo qytetar të ndihet i sigurt, ashtu si çdo qytetarë në Kosovë. Dhe të kuptoj që Serbia nuk e ka për qëllim mbrojtjen e serbëve por pozicionimi i saj drejt Rusisë”, u shpreh Abazi.
Tutje deputeti i LVV-së, po ashtu potencoi se strategjia dalëse nga kjo situatë është kthimi në tavolinën e bisedimeve mes dy shteteve.
“Strategjia dalëse nga kjo situatë për t’ia hequr Serbisë çfarëdo justifikimi duhet të na kthejë në tavolinën e bisedimeve dhe koordinimit me shtetet partnere, për të dakorduar planet dhe qëndrimet përtej dialogut”, ka thënë ndër të tjera Abazi. /Telegrafi/