Site icon Telegrafi

Abazi: LDK frikësohet nga zgjedhjet, e dinë se pa Vjosa Osmanin mbetet partia e tretë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po frikësohet të mbahen zgjedhjet pasi që sipas tij, e dinë se pa Vjosa Osmanin do të dalin partia e tretë.

Abazi ka pohuar se nuk ka zëvendësim të demokracisë e legjitimitet demokratik pa zgjedhje, transmeton Telegrafi.

Ai në shkrimin e bërë në Facebook ka thënë se qytetarët janë të brengosur për tendencën për shembjen e demokracisë.

“Mërgata, senatorë e kongresmenë, me të cilët flasim për çdo ditë në SHBA, nuk e kuptojnë pse politikanët e LDK sidomos nuk kanë guximin të flasin për zgjedhjet. Për cilën demokraci po flasin nëse nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje. Sigurisht që kanë bërë tinëzisht matje të opinionit dhe e dinë që pa Vjosa Osmanin, rrezikojnë të mbeten e treta. Por nuk ka zëvendësim të demokracisë e legjitimitet demokratik pa zgjedhje”, ka shkruar ai.

Për më shumë, shkrimi i plotë:

“Qytetarët, aktivistët, dhe patriotët që jetojnë në diasporë janë të brengosur për tendencën për shembjen e demokracisë, tentimin për rikthimin e hajnisë, krimit dhe korrupsionit dhe vazhdimin e kapjes së ekonomisë dhe tregut nga mafia e lidhur me disa politikanë përfshirë edhe centrifugistët me shumë pasuri të pajustifikueshme.
Mërgata mbështet qeverinë Kurti; jo komplotistët centrifugal, antikushtetues, e antievropian.

Me të drejtë, mërgata gjithandej është thellësisht e brengosur për fatin e parasë publike dhe çfarë do t’i ndodhte Kosovës nëse “tenderashët”do të ishin në qeveri. COVID-19 do të ishte tender. Edhe asfalti do të bëhej COVID-19, edhe hyrje-daljet e autostradave do të bëheshin COVID-19 49 Milion euro, edhe pista e aeroportit do të ishte ndonjë lloj COVID.

Mërgata poashtu po kërkojnë llogaridhënie për fondin “3%” për fondin e UFORK për Dardania Bankën e shitur, për fondin “Vendlindja thërret”. Natyrisht ato janë paratë që i dhanë ata, mërgata!

Mërgata është e kënaqur me suksesin e madh që qeveria Kurti ka arritur në preventivën dhe parandalimin e përhapjes së shpejt të COVID-19 dhe gjithashtu me nivelin e paparë profesional te përgatitjes dhe përllogaritjes së pakos përkrahëse për individ dhe operator ekonomik.

Mërgata që poashtu i është ekspozuar edhe vet COVID-19 aty ku jetojnë, janë në solidaritet me qeverinë dhe qytetarët, ashtu siç është qeveria me ta dhe bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfide, ashtu siç kemi kaluar edhe shumë të tjera.

Mërgata në SHBA është në kontakt të drejtpërdrejt me qeverinë Kurti dhe së bashku jemi duke punuar që të hedhim dritë informacionit të gabuar dhe jo të drejtë që është plasuar në SHBA për disa vite lidhur me dhe për LVV dhe poashtu për qeverinë Kurti nga ana e Thaçit dhe sejmenëve të tij. Tani qeveria Kurti flet direkt me zyrtarët Amerikan dhe me diasporën. E vërteta e ka kaluar edhe Atlantikun tani.

Mërgata, senatorë e kongresmenë, me të cilët flasim për çdo ditë në SHBA, nuk e kuptojnë pse politikanët e LDK sidomos nuk kanë guximin të flasin për zgjedhjet. Për cilën demokraci po flasin nëse nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje. Sigurisht që kanë bërë tinëzisht matje të opinionit dhe e dinë që pa Vjosa Osmanin, rrezikojnë të mbeten e treta. Por nuk ka zëvendësim të demokracisë e legjitimitet demokratik pa zgjedhje.

Nuk ka opozitë në botë që nuk kërkon zgjedhje, e aq me pak opozitë që në kohë të pandemisë globale, kur rrezikohet çdo jetë njeriu, e jep votën falas me rrëzu një qeveri që me sukses po kryen punët dhe po tejkalon sfidat edhe të trashëguara. Ku është halli? Nuk mundet një parti që ka kryetarin nga Mitrovica dhe kryetarin e grupit parlamentar poashtu nga Mitrovica ta mbështes e lejojë ndarjen e Kosovës.

Qeveria Kurti, qytetarët në Kosovë, shqiptarët kudo në botë, janë bashkë kundër COVID-19, kundër krimit e korrupsionit, kundër ndarjes dhe së bashku nuk lejojnë përmbysjen e demokracisë dhe shtetit.

Në këtë listë të prioriteteve, ka vend për bashkërendim me të gjithë nëse vërtet qëllim edhe i tyre është shteti ynë dhe jeta e qytetarëve tanë. Ne, ata të gjithë që e duan vendin më shumë se privilegjet momentale që sjell pushteti, nuk duhet të lejojmë të mbahemi në mend se lejuam apo tkurrem edhe një herë shtetin dhe territorin tonë”./Telegrafi/

Exit mobile version