Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka thënë se ka tendenca nga deputetë të opozitës për të bërë betejë fjalësh në Kuvend, që të dëmtojnë agjendën e punës së seancave plenare
Ai ka thënë që opozita po e luan rolin e pozitës në kuvend, duke u munduar që storien e tyre për menaxhimin e energjisë të ndërtuar për 15 vite ta krahasojnë me 4 muaj të krizës energjetike.
Ai madje ka shprehur, se ka tendenca nga deputetë të opozitës për të bërë betejë fjalësh në Kuvend.
“Nuk janë bërë ende dy muaj, qëkur Ferat Shala doli në kuvend , dhe më akuzoi mua që kam hidrocentrale , kush ka blerë energji, pse Kosova ka mbetur në krizë energjetike, të hetohen të gjitha këto dhe të formohen komisione, por jo me qëllim të bllokimit të agjendës që ishte paraparë të mbahet në seancën e sotme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë, që formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar nga ana e opozitës ka qenë betejë e gabuar, për mënyrën se si është nisur për të dëmtuar agjendën reformuese të seancës për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj, në lidhje me këtë ka reaguar se është bërë shumë zhurmë për asgjë, sepse në një shtet demokratik ku kërkohet Komision Hetimor Parlamentar duhet të lejohet, sepse nëse krijohet përshtypja që po tentohet të fshehet diçka, atëherë fillojnë edhe dyshimet.