Site icon Telegrafi

Abazi i del në mbrojtje Osmanit, pas akuzave të Thaçit ndaj familjes së saj

Ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi i LVV-së, i ka dalë në mbrojtje kryeparlamentares Vjosa Osmani, pasi presidenti i vendit Hashim Thaçi ka hedhur akuza në drejtim të familjes së kësaj të dytës për bashkëpunim me Serbinë.

Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “janë grupi parlamentar i LVV dhe Vjosa Osmani pengesa e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë që Thaçi dhe qeveria e tij duan ta kalojnë në Parlamentin e Kosovës”.

“Lufta e Thaçit kundër Vjosa Osmanit është e qëllimshme sepse janë grupi parlamentar i LVV dhe Vjosa Osmani pengesa e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë që Thaçi dhe qeveria e tij duan ta kalojnë në Parlamentin e Kosovës”, ka shkruar Abazi.

Më tej ai ka thënë se “Thaçi ka paguar qindra mijëra euro për lobim që ndarja e Kosovës të pranohet nga ana e Gjermanisë dhe shtetet tjera Evropiane. Ato kanë refuzuar dhe kjo është arsyeja që Thaçi e urrenë Bashkimin Evropian dhe ndërmjetësimin në dialog”.

Ndryshe, presidenti Thaçi, sonte në një intervistë televizive ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, duke thënë që dikush nga familja e saj i ka shërbyer Serbisë.

Lexo po ashtu Thaçi thotë se familjarë të Vjosa Osmanit i kanë shërbyer Serbisë

“Projektet e mia kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse dikush nga Osmani i ka shërbyer Serbisë në atë kohë, unë i kam luftuar ata”, ka thënë Thaçi.

Ndaj akuzave të Thaçit ka reaguar menjëherë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila ka shkruar në Facebook, se babai i saj e ka njohur për komandant suprem ish-presidentin, Ibrahim Rugova, kurse Thaçi po e shpallë tradhtare familjen e saj, ashtu siç e shpallte dikur Rugovën me komunikatat e tij gjatë viteve të ’90-ta. /Telegrafi/

Exit mobile version