Telegrafi

Abazi: Debatet e iniciuara nga opozita në Kuvend kanë për qëllim bllokimin e ligjeve të Qeverisë

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme parlamentare për rritjen e çmimeve.

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se për herë të parë po ndodh një krizë që burimin nuk e ka në Kosovë por që efektet po ndjehen edhe në Kosovë.

“Edhe në Amerikë që ka rezerva të mëdha një gallon me naftë ka shkuar në 5 dollarë”.

Abazi thotë se shpeshherë debatet në parlament kalojnë në kotësi pasi kanë qëllime për bllokimin e Qeverisë.

“Këto debate kanë për qëllim që t’ia vështirësojnë Qeverisë kalimin e ligjeve, vendosjen e institucioneve në vend siç janë bordet etj. Me këto vonesa tentohet që Qeveria të del e pasuksesshme. Unë nuk e kuptoj këtë logjikë”.

Deputeti i shumicës parlamentare thotë se disa drejtuesve të institucioneve pa iu skaduar mandati nuk mund të bëhen ndryshime.

Lexo po ashtu Kuvendi pa kuorum, nuk hidhet në votim projektrezoluta e LDK-së për ngritjen e çmimeve

Abazi ka komentuar edhe përplasjen mes Abdixhikut dhe Bislimit duke thënë se gjëra të tilla janë parë edhe në të kaluarën.

“Nuk është se kishte ndonjë skandal në ato që pamë. Kemi pasur edhe raste tjera. Megjithatë zoti Abdixhiku duhej të ishte më i kujdesshëm në raport me atë shprehje që e përdori ndaj zëvendëskryeministrit”.

Ai thotë se duhet të ketë frymë të bashkëpunimit pozitë-opozitë për të ecur përpara./Telegrafi/