Site icon Telegrafi

​AAK kundër shpërndarjes së Kuvendit, Tahiri: Diaspora nuk e mbështet më Kurtin, qeveria s’po punon për lehtësimin e votimit të tyre

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka punuar asgjë për të lehtësuar votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, i cili është miratuar vitin e kaluar.

Sipas partisë së Ramush Haradinajt, kryeministri Albin Kurti e ka kuptuar se nuk e ka më mbështetjen e diasporës, andaj nuk po ndërmerr veprime për ta zbatuar ligjin në praktikë.

Në anën tjetër, nënvizuan sërish se nuk do të përkrahin asnjë mocion për shpërndarje të Kuvendit.

“Votimi jashtë vendit për vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora vazhdon të manipulohet, duke penguar zbatimin e ligjit për zgjedhje të përgjithshme, i cili ka hyrë fuqi më 20 korrik të vitit të kaluar. Janë bërë më shumë se nëntë muaj që ky ligj ka hy në fuqi dhe nuk është marrë asnjë veprim për të mundësuar votimin e diasporës sipas këtij ligji. Deri më tani nuk ka asnjë informatë, asnjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe vendeve ku e kemi diasporën tonë për të mundësuar votimin e qytetarëve të Kosovës në ambasada, ashtu siç thotë ligji.

Ligji i ri kërkon një kuti postare ku diaspora mund të votoj dhe pastaj këto vota që do të paguheshin me 0.50 cent të shkonin në atë kuti që do të ambalazhohej nga ambasada dhe menaxhohet nga KQZ-ja në mënyrë që vota të vjen në Kosovë. Asnjë hap konkret për të mundësuar ndryshimin nuk ka ndodh. Për AAK-në ky është një krim i cili po ndodh ndaj vëllezërve dhe motrave tona në diasporë me të vetmen arsye se kryeministri Kurti e ka marrë vesh se diaspora e ka kuptuar se kanë qenë të mashtruar dhe e dinë se besimi qytetarë më nuk është për të”, tha ai, raporton KP.

Kritike u shfaq edhe deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila tha se qeveria qëllimshëm po e zvarrit edhe sjelljen në Kuvend të Ligjit për diasporë.

“Kjo qeveri deri sot s’ka bërë asgjë. I ka kaluar tri vjet qeverisje dhe ne për çdo vit kalendarik e kemi në agjendën legjislative, Ligjin për diasporë dhe prapë nuk sillet në Kuvend. Me Ligjin për diasporë do t’iu mundësohej qytetarëve të Kosovës mësimi plotësues në gjuhën shqipe, po ashtu edhe të kenë qendrat kulturore…”, theksoi deputetja Kadrijaj.

Ndërkaq, kryedeputeti i AAK-së, Besnik Tahiri duke paraqitur kundërshtimin për shpërndarjen e Kuvendit, tha se me kryeministrin Albin Kurti janë të gatshëm të flasin për tema nacionale, por jo për këtë çështje.

“Aleanca nuk e mbështet shpërndarjen e Kuvendit. AAK-ja kërkon shkarkim ose dorëheqjen e kryeministrit…”, theksoi Tahiri.

Exit mobile version