Site icon Telegrafi

AAK kërkon nga Qeveria të lejojë tërheqjen e kursimeve nga Trusti dhe rishikimin e Projektligjit për pagën minimale

Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga shumica parlamentare që të reflektojë dhe të mundësojë tërheqjen e një përqindjeje të kursimeve nga Trusti si dhe të rishikohet edhe njëherë Projektligji për pagën minimale në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se qeveria duhet të reflektoj seriozisht në këtë drejtim.

Sipas tij, tërheqja e një përqindjeje të mjeteve nga Trusti nuk është çështje dëshire por domosdoshmëri e qytetarëve.

“AAK kërkon nga shumica parlamentare që të reflektojnë seriozisht në tërheqjen e trustit, pasi ato para janë të qytetarëve. Trusti nuk është dëshirë e as vullnet i mirë, por domosdoshmëri”, ka thënë Tahiri.

Lexo po ashtu Qeveria kundër tërheqjes së kursimeve nga Trusti: Nuk është zgjidhje

Ndërsa, sa i përket pagës minimale ai tha se kanë votuar kundër këtij Projektligji për disa arsye, transmeton Telegrafi.

“Te paga minimale janë dy gjëra që dua t’i ngrisë. Ne kemi votuar kundër pasi duam që dy kategori të vendosën në baras-vlefshmëri me pagën minimale…”, shtoi ai.

Edhe deputeti nga kjo parti Bekë Berisha tha se me këtë veprim qeveria ka dërguar mesazhe të gabuara te gjeneratat e reja.

“Me këto veprime, qeveria i ka çuar porosi të gabuara, ju ka thënë gjeneratave të reja se kushdo që lufton për liri kështu ua kthen qeveria…”, tha Berisha.

Ndërsa, deputeti Shemsedin Dreshaj potencoi se Projektligji për pagën minimale i cili është sjell të premten në Kuvend të Kosovës është diskriminues, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Nuk ka kuorum për miratimin e Projektligjit për pagën minimale në Kuvend

“Ditën e djeshme AAK-ja ka votuar kundër ligjit dhe arsyeja është që paga minimale nuk është pagë minimale. Ky ligj është diskriminues, pasi shumë kategori i përjashton nga e drejta e përfitimit, në radhë të parë të verbrit, veteranët, tetraplegjikët, paraplegjikët, kategoritë që nuk kanë mundësi fizike të protestojnë për verimet e padrejta që janë duke u ndërmarr. Këta njerëz le që janë larguar por kanë nevojë për asistencë të personit të dytë dhe të tretë. Kjo çfarë është bërë është vërtetë e turpshme”, ka thënë Dreshaj.

Ndryshe, partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), një ditë më parë kanë votuar kundër Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version